Frankfurti në flakë, protesta kundër ndërtimit të selisë së re të BQE
- 5:00 | " KOHAJON "
- Mar 18, 2015
- 1 min read

Goma makinash në flakë, makina policie të djegura, tym, dhunë dhe kaos. Ky është Frankfurti i Gjermanisë, ku mijëra njerëz kanë protestuar në mënyrë të dhunshme kundër ndërtimit të selisë së re së Bankës Qendrore Europiane.
Demonstruesit e lëvizjes Blockupy paralizuan qendrën financiare të Gjermanisë, dhe më pas situata degjeneroi në përleshje mes policisë dhe protestuesve.
Rreth 1500 persona ndodheshin në rrugë kundër politikave shtrënguese të Bashkimit Europian dhe 3 mijë të tjerë ishin të Lëvizjes Blockupy. Të gjithë së bashku fajësojnë insitucionin financiar për krizën që ka përfshirë vendet europiane, si Greqia apo edhe Spanja.
Policia sigurisht u përgjigj. Forcat speciale përdorën pompa uji , spraj djegës dhe mjete të tjera për të parandaluar turmën të thyente dyer e dritare të Bankës Qendrore europiane. Polica deklaroi se ka arrestuar disa persona, teksa Martin Somer, zëdhënës i lëvizjes Blockupy tha se qëllimi i bllokadës është parandalimi i operacioneve normale të bankës fajtore për krizën në Europë.
Mesazhet e dhënë si parulla apo slogane ishin “humanizmi para kapitalizmit”, apo “lufta nis këtu”. Përveçse në terren, situata monitorohej edhe nga helikopterë të forcave policore.
Protestat vijnë në kohën kur papunësia në Europë, sipas Eurostat, ka arritur në 12,2 për qind.
Comments